Jehona mediatike, Bota në këmbët e Realit dhe Ronaldos!

Lumturinë më të madhe e ndjenë ata. Futbollistët në “Milenium” të Kardifit, dhe me mijëra tifozë të mbledhur në “Santiago Bernabeu” në Madrid. Gjithsesi, heroizmi dhe ndjenjat e larta do të dukej sikur nuk do të ekzistonin nëse nuk do të kishte kush t’i tregonte. Përjetësinë e triumfit të Realit e siguruan si gjithnjë mediat.

Së pari, nga Madridi, gazeta “Marka”: Zotërit e Gjithësisë. Dush i Realit ndaj Juves për të fituar të 12-ën! “AS”: E 12-ta. Për herë të parë në histori një ekip fiton Championsin dy herë radhazi.

Edhe nga Barcelona këtë herë pati vetëm urime. “El Mundo Deportivo”: Zidani historik.  Me francezin Madridi fiton Championsin e dytë radhazi. Fitore me Juven pas pushimit dhe Ronaldo golshënuesi më i mirë. “Sport”: Reali i Madridit, kampion i drejtë!

“ABC”: Reali i Madridit pa kufi. “La Razon”: Dymbëdhjetë herë mbretër.

“La Gazeta delo Sport”: Mallkim. Për bardhezinjtë, finalja e shtatë e humbur. “Il Korriere delo Sport”: Çfarë rrënimi! Juventusi përfundon si mos më keq. Bufon: Një zhgënjim i madh. “Tutosport”, siç duket u mor me tifozët rivalë në Itali: Juventusi është ky. Kupa e tretë e Italisë radhazi, titulli i gjashtë radhazi!

“Korriere dela Sera” vendos foton e Bufonit, por flet për diçka tjetër:  Panik mes tifozëve në sheshin e Torinos. Gjashtë qind të plagosur, një fëmijë është keq. “La Republika” krahason terrorin në Londër, me tmerrin në Torino, ku 600 tifozë u plagosën gjatë finales Real-Juve.

“L’Ekip”: Madrid jo real! Reali i Zidanit dhe Ronaldos bën hi Juventusin dhe mbetet i paprekshëm. Dymbëdhjetë herë kampion i Europës. “Bild Cajtung” tregon sesi ish-mbreti i Spanjës, Huan Karlos, shkoi të përgëzonte Sergio Ramosin, ndërsa kapiteni po bënte urinën për kontrollin e dopingut.

Nuk mund të mungonte as Portugalia e Kristianos. “A Bola”: Ronaldo, një kërcim për përjetësinë!

“Ole” nga Argjentina, veçon Ronaldon: Katër Champions, 600 gola në karrierë, pesë vjet rresht golshënuesi më i mirë i kompeticionit.

Sfidanti.al