MotoGP, Andrea Dovizioso, mbreti i Mugellos, në Itali triumfon Ducati

Tripletën që Juventusi nuk e arriti në futboll , e bëri  Italia e motoçiklizmit. Në garën e Mugellos në botërorin e MotoGP fitoi Andrea Dovizioso duke iu bashkuar Mignos dhe Pasinit fitues të kategorivë Moto3 dhe Moto2. Pas 9 vitesh kjo pistë u kthye të ’flasë’ gjuhën italiane. Herën e fundit kur të treja kategoritë e këtij botërori u dominuan nga pilotët e vendit të Apenineve ishte në 2008 ku spikatën Corsi, Simoncelli, Rossi. Këtë vit ai që triumfoi ishte Dovizioso që bëri një paraqitje fanstatike në këtë garë duke lënë pas fenomenin Vinales me Yamahën, ndërkohë që surpriza e ditës e kishte emrin Danilo Petrucci. Ky i fundit me Ducati Pramac u rendit në vendin e tretë duke e lënë pas legjendën Valentino Rossi, që u detyrua të kënaqej  me vendin e katërt. Zhgënjeu totalisht Honda që pati rezultatin më të mirë me Marc Marquez që nuk mundi të shkojë më shumë se vendi i 6, ndërkohë që Dani Pedrosa doli nga pista pasi tentoi të sulmojë Crutchlow. Akoma më keq shkuan gjërat për Lorenzon. Piloti spanjoll i Ducatit e nisi mjaft mirë garën duke rivalizuar me Rossin për vendin e parë, por nuk mundi dot të rezistojë dhe e mbylli garën në vendin e 8. Pas garës së Italisë, renditjen e përgjithshme për pilotë vazhdon ta kryesojë Maverick Vinales me 105 pikë. Në vendin e dytë është ngjitur Andrea Dovizioso me 79, ndërsa Rossi është i treti me 75 pikë i ndjekur nga Marquez dhe Pedrosa.

sfidanti.al