Futbollisti suedezo-boshnjak, Zllatan Ibrahimoviç, në fakt, po punon me ngulm dhe intensitet që ta rrimarë veten, mbas dëmtimit të rëndë të gjurit në ndeshjen çerekfinale të Ligës së Evropës me Anderlhetin. Kështu, Ibroja ishte i detyruar që të mos luante në fund të sezonit me Mançester Junajtidin, për shkak të dëmtimit serioz, ndërsa, mbas operacionit që pasoi, ekipi mjekësor njoftoi se ai ka nevojë që të qëndrojë jashtë fushës së futbollit deri në fillim të vitit 2018. Megjithatë, më vonë, u tha se Zllatani po e rimerr veten më shpejt sesa ishte parashikuar dhe se ai mund të dalë në fushë, që në muajin tetor të këtij viti.
Agjenti i tij, Mino Rajola, ndërkohë, ka zbuluar se Ibros, gjatë kësaj kohe, i kanë ardhur mjaft oferta, duke qenë se, këtë verë, atij i mbaron kontrata me Junajtidin. Sidoqoftë, ai, gjithashtu, ka thënë se Ibrahimoviçi prioritet u jep “djajve të kuq” dhe se ai është gati që të vazhdojë të qëndroje me Junajtidin, nëse edhe ky klub e dëshiron këtë gjë. Megjithatë, media angleze njoftoi, dje, se vështirë se Ibroja do të qëndrojë tek Junajtidi edhe sezonin tjetër. Thuhet se Murinjo nuk do që të rrezikojë, duke qenë se nuk është i sigurt se, kur ai duhet t’i llogarisë shërbimet e Ibros në vjeshë të këtij viti, apo vitin e ardhshëm?
Sfidanti.al