Italia kalon edhe Belgjikën, gjysmëfinale e madhe ndaj Spanjës!

Pësoi një tjetër gol, si dhe pësoi një dëmtim që mund t’i kushtojë, por arriti diçka të madhe. Italia e Roberto Mançinit ka futur marshin e pestë dhe duket se po shkon me shpejtësi skëterrë drejt titullit europian. Edhe pse nuk ishte favorite përpara fillimit (ishin Franca e Anglia, më pas Belgjika), nuk deshi t’ia dinte fare dhe pasi kaloi me lehtësi Turqinë, Zvicrën e pastaj me më shumë vështirësi Uellsin, kapërceu Austrinë 2-1, ndoshta në ndeshjen më të vështirë të deritanishme në Europian, ndërsa fitorja ndaj Belgjikës ishte ndoshta më kuptimplota.

Nikolo Barela në 31’ dhe Lorenco Insinje shënuan dy gola të mrekullueshëm, ndërsa italianët ishin shumë lart në pjesën e parë, ndërsa u desh të përballonin sulmin belg pas pushimit. Edhe pse pa Eden Hazarin, “djajtë e kuq” patën Lukakun dhe De Brujnin, ndërsa ushtruan presion në 20’ e fundit. Italia e meritoi duke mbajtur topin më shumë, 54 për qind, duke gjuajtur më shumë 14-10, ndonëse belgët patën 4 gjuajtje në kuadrat ndaj 3 të të kaltërve. Tashmë luhet gjysmëfinalja e fortë ndaj Spanjës.

“Nuk mendoj se vuajtëm aq shumë në këtë ndeshje, – tha trajneri Roberto Mançini, që tani ka 32 ndeshje radhazi pa humbje, një rekord edhe më i madh italian, – duhej të bënim një ndeshje të madhe përballë një ekipi si Belgjika dhe besoj se e bëmë. Djemtë ishin të jashtëzakonshëm dhe mendoj se e merituam plotësisht. Tani na mungojnë edhe 2 ndeshje. Në radhë është Spanja, por sa më shumë të shkosh përpara, aq më e vështirë bëhet”.

Italia (4-3-3): Donaruma, Di Lorenco, Bonuçi, Kielini, Spinacola (Emerson 79’), Barela, Jorginjo, Verrati (Kristante 74’), Kieza (Toloi 90’+1), Imobile (Beloti 74’), Insinje (Berardi 79’). Tr. Mançini

Belgjika (3-4-2-1): Kurtua, Alderveireld, Vermelen, Vertongen, Mënuer (Çadli 70’ (Pret 74’)), Tilemans (Mertens 69’), Vicel, T. Hazar, De Brujn, Doku, Lukaku. Tr. Martinez.

Sfidanti.al