Interi, skuadra më me fat në Itali, rivalët ndalen tek … shtylla!

Projekti kinez, i nisur nga të tjerët që më parë, natyrisht që është serioz dhe po jep fryte, por futbolli si çdo gjë në jetë bazohet sado pak edhe tek fati. Interi i Luçiano Spaletit ka fituar shumicën e ndeshjeve dhe ka nisur të bindë gjithnjë e më shumë, veçse ka pasur edhe një statistikë në favor, pikërisht gabimet e kundërshtarëve para portës.

Në 8 ndeshje të Serisë A, rivalët e zikaltërve kanë goditur 8 herë shtyllat e portës së mbrojtur nga Samir Handanoviç. Ky është rekordi europian, të cilin Interi e mban së bashku me francezët e Sent Etienit, dhe fatin më të madh e pati në fushën e Romës, kur kryeqytetasit goditën 3 herë shtyllat.

Gjithsesi, trajneri interist, Luçiano Spaleti, mund të thotë se thjesht po ndodh e kundërta e asaj që ngjau vjet. Si trajner i Romës, ai ishte i pafati në Serinë A, me skuadrën e tij që goditi 22 herë shtyllat.

Sfidanti.al