Interi bën pakt për të fituar Ligën e Europës, por Konte ka frikë!

Në Itali thonë se është lidhur një “besa-besë” në mënyrë që sezoni të mos dështojë. Interi dëshiron të ketë një trofe të paktën, diçka që mungon që prej vitit 2011, dhe trajneri Antonio Konte i ka vënë lojtarët e tij të betohen njëri pas tjetrit se do t’ia dalin. Përvoja dëshpëruese në Itali, me garën e dështuar për titullin dhe me eleminimin nga Kupa e Italisë, duhet ndryshuar disi dhe kjo mund të bëhet nëpërmjet kontinentit.

“Me patjetër duhet fituar Liga e Europës”, është klithma në klubin me seli në Rrugën “Turati”, por gjithsesi Konte ka një shqetësim. “Kalendari për Interin ka qenë i tmerrshëm, – thotë trajneri, – kësaj i duhet shtuar edhe vapa, dhe kam frikë se ndaj Getafes do të arrijmë të rraskapitur. Gjithsesi, të mbyllim mirë kampionatin e të mendojmë për Europën, nuk kemi rrugë tjetër”. Konte pëlqen të paktën faktin se Eriksen është integruar në ekip. Interi luan sot në fushën e Xhenoas, për Serinë A, në orën 19:30.

Sfidanti.al