Interesi apo drejtësia? Premier Liga (nuk) është e sigurt për vendimin!

Mesut Ozil krijoi një problem më të madh sesa protesta për shkak të zëvendësimit në ndeshjen e Arsenalit ndaj Mançester Sitit. Ky mund të quhet një konflikt në një gotë uji, në krahasim me atë që po ndodh pas mesazhit të Ozilit në rrjetet sociale, me akuza ndaj Kinës për trajtimin e banorëve të saj ujgurë. Ujgurët janë të besimit mysliman dhe ka shumë fakte që tregojnë se shteti kinez po kryen represion ndaj tyre, pra Ozili ka të drejtë, veçse problemi është ajo që vjen më pas.

Televizionet kineze nuk e transmetuan direkt ndeshjen Arsenal-Siti, si protestë për mesazhin e Ozilit, ndërsa rrezikohet që Premier Liga të humbasë qindra milionë paundë stërlina nëse i mbyllet tregu kinez, qoftë i të drejtave televizive, qoftë edhe ai i marketingut. Arsenali nuk vonoi ta distanconte veten nga mesazhi i Ozilit, por duket se autoritetet kineze duan diçka më shumë, pra që klubi të mos e lejojë lojtarin të shprehë mendime të tilla publikisht. Natyrisht, kjo është diçka që nuk mund të mendohet në Perëndim, veçse nuk mund të imagjinohet as humbja e një tregu si ai i Kinës.

Çfarë pritet të ndodhë? Natyrisht, asnjëra palë nuk mund të shkojë në ekstrem, por është e qartë se edhe në Perëndim, ku kulti i fitimit është ende tepër i fortë, do të anojnë më shumë nga logjika e biznesit sesa nga solidariteti për ujgurët, që në fund të fundit nuk i sjellin aspak të ardhura. i tillë është sistemi, dhe kështu do të jetë përderisa ai nuk do të ndryshojë.

Sfidanti.al