Pasi shënoi 28 pikë ndaj Majemit, dhe pasi fluturoi me aeroplan për në Ohajo për të ndjekur ndeshjen e djalit të tij, Lebron Xhejms bëri një tjetër udhëtim. Ai shkoi në Arenën e Atlantës dhe realizoi 32 pikë, duke ndihmuar Lejkërsat që të arrinin fitoren e 7-të radhazi dhe të barazonin Miluokin si dy skuadrat më të mira të NBA-së. Skuadra nga Kalifornia ka 24 fitore e 3 humbje. Ndaj Atlantës ishte tepër e vështirë, dhe fitorja u arrit në fund me shifrat 101-96, ndërsa Lebroni bëri një paraqitje të madhe.
Ai shënoi 32 pikë, kapi 13 topa në tabela dhe shërbeu 7 asistë, duke pasur edhe një vjedhje topi dhe 3 bllokime gjuajtjesh. Entoni Dejvis i ndenji në krah me 27 pikë e 13 topa në tabela, 3 asistë, 1 vjedhje, 2 bllokime, por edhe lojtarët e tjerë luajtën mirë. Ata ishin Rondo, Kalduell-Poup dhe Grin. Pavarësisht moshës që po shkon 35 vjeç, Lebron Xhejmsi duket se po bëhet edhe më i mirë.
Sfidanti.al