Inter, vjen momenti i Asllanit

Momenti i Kristjan Asllanit. Me titullin të siguruar në derbin me Milanin, tek Interi që përgatitet për pesë ndeshjet e fundit të kampionatit, ka një grup që përtej festimeve ka ende një objektiv. Të sigurojë sa më shumë minuta. Aty bën pjesë edhe mesfushori i kombëtares shqiptare me një motiv më shumë, për të qenë në formë për Europianin e verës që po afron.

Pavarësisht minutazhit të kufizuar këtë sezon, ka lojtarë që konsiderohen si titullarë të shtuar. Është ky rasti i Kristjan Asllanit dhe Yann Bisseck, të cilët janë gjendur gjithmonë gati kur Inzaghi i ka hedhur në fushë.

Mesfushori shqiptar, të premten ishte pjesëtar i një bisedimi live në Instagram, bashkë Calhanoglu, Frattesin e Arnautovic, ku me shaka zbuloi se nëse shënon një dygolësh ndaj Torinos, sulmuesi i kishte premtuar se do t’i bëjë dhuratë një makinë. Një tjetër sinjal ky për më shumë hapësirë, duke nisur nga sfida e kësaj së diele.

Në vitin e tij të dytë si “nxënës” i Arnautovic, Asllani ka koleksionuar 853 minuta në 27 prezenca, dhe është logjike të mendosh se do të ketë më shumë mundësi në javët e fundit, që mund ti shërbejnë Inzaghit për të perfeksionuar mekanizmat në këndvështrimin e sezonit të ardhshëm, pasi i njëjti diskutim si për Asllanin e Bisseck vlen edhe për Tajon Buchanan për sa i përket perspektivës. E përditshmja italiane Gazzetta Dello Sport shkruan se nuk përjashtohet që në verë të vijë edhe ndonjë ofertë për Asllanin e Bisseck, por tendenca e klubit është që të mos privohet nga elementë që konsiderohen të çmuar për të ardhmen.

Si Asllani ashtu dhe Bisseck e Buchanan do të gjejnë patjetër hapësira në sfidat e mbetura kundër Torinos, Sassuolos, Frosinones, Lazios dhe Veronës ndoshta dhe nga minuta e parë për tju lejuar të marrin frymë titullarëve pas një sezoni të lodhshëm, por e rëndësishme është se mesfushorit shqiptar diçka e tillë do të shërbejë shumë edhe për të ardhur në formën e tij më të mirë në Euro 2024 me kuqezinjtë e Sylvinhos.

sfidanti.al