Fjala e fundit nuk ishte thënë ende. Ishte falë Premier Ligës dhe programit të saj festiv të fundvitit, që Harri Kejn theu një rekord dhe la pas yllin më të madh të botës. Sulmuesi i Totenhemit kaloi rekordin e vjetër të golave të shënuar në një vit kalendarik në kampionat, pasi realizoi tri herë në suksesin 5-2 ndaj Sauthemptonit. Ishte shansi i tij i fundit, të cilin anglezi 23-vjeçar e shfrytëzoi më së miri, duke u konfirmuar si një nga futbollistët më të shkëlqyer në rruzull tani për tani.
Me këtë tregolësh, Kejn arriti në kuotën 39 vetëm në Premier Ligë, tre më sesa legjenda Alan Shirer. Deri përpara ndeshjeve të javës së 20-të, Kejn ishte baraz me ish-sulmuesin e Njukasëllit dhe Blekbërnit. Arritja e dytë e madhe e tij ishte fitorja e garës me Lionel Mesin si shënuesi i vitit në Europë. Argjentinasi i Barcelonës kryesonte me 54 gola, ndaj 53 të londinezit, por tashmë Kejn mbërriti në kuotën 56. Kjo paraqitje me siguri që ia ka rritur edhe më shumë vlerën kartonit të tij, dhe e ka bërë dëshirë klubeve më të njohur të kontinentit.
Sulmuesi mund të jetë krenar për vetveten, ndërsa tifozët anglezë mund të kenë shpresa të mëdha se kanë gjetur një lider të kombëtares së tyre për në Botërorin e ardhshëm në Rusi. Suksesi 5-2, arritur edhe me golat e anglezit tjetër të ri, Dil Ali, dhe të koreanojugorit Son Heung-Min bëri që Totenhemi të ketë tani 37 pikë, dhe të pretendojë të paktën kualifikimin për në Champions sezonin e ardhshëm.
Sfidanti.al