I guximshmi Dani Alvesh krahason Gabriel Zhezusin me një legjendë

Pak idhuj janë më të mëdhenj për tifozët brazilianë sesa Fenomeni Ronaldo. Ish-sulmuesi mbeti vetëm pas Pelesë për numrin e golave si dhe fitoi dy Kupa të Botës dhe humbi një finale Botërori, por duket se yll i brezit të sotëm mund të krahasohet shpejt me të. Fjala është për Gabriel Zhezusin, më saktë këto janë fjalët e Dani Alveshit.

Mbrojtësi “globetrotter”, pra bredharaku i botës, parashikon se sulmuesi i Mançester Sitit do të ketë po atë status në futboll si Ronaldo. “Ai ka arritur kaq shumë në një moshë kaq të re, por ai nuk ndjen presion, – tha futbollisti i PSG-së, – unë nuk po bëja shaka kur e quajta atë “Ronaldo i ri”. Ata janë shumë të ngjashëm. Gabrieli është që tani i madh dhe do të bëhet edhe më i mirë”.

Zhezus ka shënuar 7 gola në 12 ndeshje me Brazilin, ndonëse është vetëm 20 vjeç, si dhe ka realizuar 9 herë në 16 paraqitje për Mançester Sitin, duke e detyruar disa herë Pep Guardiolën që të lerë jashtë formacionit një “fenomen” si Kun Aguero. Pritet që Gabriel Zhezus të luajë titullar për Brazilin në miqësoren e sotme ndaj Anglisë në “Uembli”.

Sfidanti.al