Granit Xhaka në historinë e Zvicrës

Granit Xhaka po shkruan me gërma të arta emrin e tij në historinë e Zvicrës. Në takimin kundër Bjellorusisë, i zhvilluar mbrëmjen e djeshme, ish-lojtari i Arsenal arriti të barazonte një rekord dhe të hynte në historinë e kombëtares zviceriane. 31-vjeçari ka arritur të mbajë veshur fanelën e Zvicrës në 118 ndeshje duke barazuar kështu rekordin e legjendës zviceriane, Hanjz Herman.

Xhaka ka bërë një postim në rrjetet sociale, teksa falenderon të gjithë për mëbshtetjen dhe mundësinë e dhënë, ndërsa thekson se për të është nder dhe privilegj që mban veshur këtë fanelë. “Është një nder i jashtëzakonshëm të mbash rekordin së bashku me të madhin Hanjz Herman. Një falënderim i madh për krejt njerëzit që më kanë mbështetur ndër vite: familjes, miqve, trajnerëve, stafeve dhe bashkëlojtarëve. Pa ju, nuk do të ishte e mundshme t’i arrija 118 ndeshje me Zvicrën. Dhe, një falënderim special për tifozët. Ka qenë gjithmonë privilegj i madh të luaj për Zvicrën dhe përpara jush. Faleminderit. Edhe shumë të tjera do të vijnë”, ka shkruar ish-futbollisti i Bazelit, Borusia M’gladbahut dhe Arsenalit.

sfidanti.al