Futbolli shqiptar, kënaqësia e dikurshme që është kthyer në një zakon i keq…

Meqenëse janë të prirur gjithmonë ta manipulojnë, ta shfrytëzojnë për interesa personale, futbolli ynë, nga një lloj kënaqësie që duhet t’i jepte sadopak kuptim kësaj periudhe të sëmurë, është kthyer në një zakon i keq që duhet hequr qafe. Sajuan muaj më parë një bojkot, kur ishim ende me veshje me mëngë të shkurtëra dhe tashmë që moti po acarohet deri në ekstrem, kanë vënë në dispozicion të klubeve një kalendar prej katilësh, i cili po i masakron futbollistët dhe terrenet ku luajnë. Dhe përfundimi është ky që po shohim… me bojkotin nuk mundën të vinin në lëvizje asgjë nga makineria shtetërore, ndërsa futbollin po e bëjnë të neveritshëm.

Dje, kampionatit të Kategorisë Superiore iu modifikua fillimisht orari, për shkak të kufizimeve si pasojë e pandemisë dhe më pas u zhvillua diku në moçal e diku mbi pellgje, ku topi nuk rrotullohej, por lundronte. Ndeshja më e rëndësishme duhet të ishte Tirana – Kukësi, po nga shkallët e “Selman Stërmasit nuk kishte shumë për të parë, veçse se si degradonte minutë pas minute tapeti i ri i impjantit. Në Shkodër terreni ka marrë ngjyrë gri, duke qenë në unison me ditët e zymta që po kalon edhe skuadra e futbollit, si dhe e njëjta pamje edhe në Kamëz, apo Ballsh, ku diku kishte vetëm ujë e baltë, diku tjetër të dyja bashkë, por edhe grushte.

Ndërkohë që megjithëse u tha se me fillimin e vitit të ri, javët e sakrificave ekstreme kanë përfunduar dhe kalendarët do të stabilizohen, gjithçka vazhdon të funksionojë në kuadër të gënjeshtrave të bojkotit. Kategoria Superiore do të vazhdojë të luhet edhe në mesjavë, ndërsa për Kategorinë e Parë, viktimën më të pafajshme të cirkut të drejtesve të FSHF-së, duhet pritur ende për një parashikim optimist nga Institute i Gjeoshkencës. Kështu që tani është vërtetë e guximshme të pyesësh se si po paraqiten të ardhurit me bujë nga merkato e dimrit. Hasanit, apo Seferit u kanë dhënë një top me ngjyra, por nuk kanë një fushë për të luajtur…