Kishte tre herë radhazi që gabonte pika e bardhë e 11 metrave. Penalltia shpesh quhet gjëja më e lehtë për t’u shënuar veçse po ta pyesnit Lorenco Insinjen deri para fillimit të ndeshjes së djeshme në orën 18:00, do të thoshte të kundërtën. Më në fund, kapiteni i Napolit e theu tersin dhe në një mënyrë spektakolare, në një rast të madh. Ai i shënoi Juventusit penalltinë e fituar nga Amir Rrahmani, ndonëse nuk i shqitet nga mendja ajo e humbur pak ditë më parë në finalen e Superkupës së Italisë po ndaj Juves.
“Dedikimi për golin ishte së pari për gruan time sepse është Shën Valentini, – tha Insinje më pas, – pastaj dedikimi ishte për misterin (Gatuzon) dhe për shokët e skuadrës. Jam shumë i lumtur që arrita në 100 gola për këtë fanelë. Një emocion i veçantë. Kryesorja është që luajtëm të bashkuar, si skuadër, edhe kur mbetëm për 10 lojtarë për shkak dëmtimi. Luftuam së bashku deri në fund. Përsa i përket gabimeve të së kaluarës nga 11 metra, unë nuk i mendova aspak, ndryshe nuk do të bëja përpara”.
Sfidanti.al