Elbasani e nis me zhgënjim, Kategoria e Parë nis rrugëtimin e sezonit të ri

Elbasani i pretendimeve dhe me shumë investime në merkato, e nis me një barazim ndaj Kastriotit në transfertë kampionatin e Kategorisë së Parë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Nevil Dede kaloi e para në avantazh me anë të Peres në minutën e 57-të, por ishte Çela që barazoi pesë minuta më vonë.

Deri në fund rezultati nuk ndryshoi dhe Kastrioti me Elbasanin ndanë nga një pikë. Në ndeshjen tjetër, Apolonia fitoi me rezultatin 0-3 atë që konsiderohet si derbi i Myzeqesë. Në stadiumin Roza Haxhiu, fierakët kaluan në avantazh në minutën e 19-të me Trifonin ndërsa në fraksionin e dytë gjetën edhe dy herë të tjera rrugën e rrjetës me Rakipajn dhe Kacanollin për të fiksuar shifrat 0-3.