Krizë e thellë në Kukës, skuadra verilindore zhytet në “errësirë”

Në “Kukësi Arena”, skuadra e Rahman Hallaçit sfidoi Egnatian e Edlir Tetovës që u rikthye furishëm në javën e dytë të Superiores me 4 gola në një sukses të thellë ndaj verilindorëve. Triumf i plotë për rrogozhinasit që pas humbjes me Skënderbeun i kihsin marrë masat mirë duke nxjerrë në pah limitet e Kukësit që këtë sezon duket se do të ketë probleme të mëdha.

Me formacionin tërësisht të rinovuar në merkaton e verës dhe shumë emra të rinj që nuk kanë lënë gjurmë në të shkuarën, vendasit zhvilluan një ndeshje shumë të dobët që u zhbllokua që në minutën e 19 nga Paulauskas, ndërsa më pas Duamena nisi spektaklin me golin e parë personal dhe të dytin pas një sprinti të shkëlqyer në min. 48. Asnjë rast për Kukësin që u dorëzua plotësisht dhe la terren për golin e katërt që erdhi nga këmbët e Iskandarlit. Minutat deri në fund nuk dhuruan më asnjë emocion me ndeshjen e hipotekuar për miqtë që largihen me 3 pikët e para sezonale dhe rikthehen bindës në kampionat pas një starti të dobët.