Egnatia me fitore bindëse, ndalet sërish Vllaznia

Dinamo dhe Egnatia mbyllën javën e 16-të të Abissnet Superiore me një ndeshje të bukur midis tyre, me gola dhe episode interesante, në fund të së cilës kampionët në fuqi fituan 2-1. Në Air Albania në Tiranë ndeshja dhuroi menjëherë emocione, pasi aksioni i parë i vërtetë, në minutën e pestë, përfundoi me gol për miqtë, autor i të cilit ishte Alessandro Albanese, me një diagonale të saktë me të majtën.

Dinamo kërkon t’i përgjigjet goli të shpejtë dhe vetëm dy minuta më pas pretendon për penallti për prekje të topit me dorë, pretendim që hidhet poshtë nga gjyqtari Xhaja. Blutë sulmojnë fort dhe Egnatia lëshon terren, duke mbyllur mirë hapësirat me dyluftime e presing të fortë që niste me Bakajokon.

Në minutën e 22-të, bëhet protanist Dajsinani, që shpëton portën pas një gjuajtjeje të devijuar të Bregut. Pothuajse gjatë gjithë pjesës Egnatia sulmon me forca të pakta, por rrezikon në minutën e 42-të, kur Bakajoko provon me një roveshatë.

Në pjesën e dytë Egnatia rrezikon e para, me anë të Grudës, që gjuan fort brenda zonës, duke gjetur të gatshëm portierin Teqja. Dinamo përgjigjet me aksionin e Bregut në minutën e 53-të që i dhuron një top të shkëlqyer Qardakut që gjuan me të majtën dhe Dajsinani shpëton portën.

Blutë sulmojnë me vendosmëri dhe Egnatia tërhiqet e gjitha, por godet në momentin më të mirë të kundërshtarit, në minutën e 58-të. Presingu i lartë i rrogozhinasve fiton topin pranë zonës dhe në hyrje të saj Albanese kalibron topin që nuk i lë asnjë shans portierit Teqja, godet shtyllën e më pas tund rrjetën.

2-0 për Egnatian dhe Dinamo ka një mal të lartë përpara, megjithatë nuk e ul ritmin dhe sulmon me forcë. Në minutën e 61-të provon nga jashtë Qefalija, ndërsa në të 67-tën sërish Bregu në rolin e asistuesit, i dhuron mundësinë e golit Nanit, dhe edhe njëherë Dajsinani shpëton portën e tij. Bregu provoi vetë në minutën e 72-të, me një gjuajtje që përfundon mbi tra.

Në të 89-tën është Vila që hyn në zonë nga e majta, por Dajsinani del me shpejtësi nga porta dhe i bllokon gjuajtjen. Portieri i rrogozhinasve duket i pathyshëm, por në minutën e 92-të mposhtet nga gjuajtja e bukur e Qefalisë me të majtën.

Blutë besojnë te mbrekullia dhe dalin sërish në sulm, por koha nuk mjafton dhe loja mbyllet me suksesin e kampionëve, që ditën t’i përgjigjen me vendosmëri e luftë lojës së Dinamos dhe tani duken skuadra e vetme që mund t’i marrë kreun Elbasanit.

Vllaznia nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 përballë Bylisit.

Në “Loro Boriçi”, kuqeblutë e kërkuan më shumë golin në pjesën e parë dhe arritën të zhbllokojnë sfidën me një gol mjaft të bukur të shënuar nga Kallaku nga një goditje dënimi.

Në pjesën e dytë ballshiotët përfituan nga një përgjumje e shkodranëve dhe arritën të vendosin barazpeshën me golin e Mustapha.

Në minutat e mbetura, kuqeblutë u përpoqën me të gjitha mënyrat, por rezultati mbeti i bllokuar në shifrat 1-1. Kjo është ndeshja e pestë që Vllaznia nuk gjen ftoren(1-1 me Partizanin, 0-1 me Teutën, 0-0 me Vorën, 0-1 me Elbasanin), ndodhet në kuotën e 26 pikëve, vendi i 4-ët. Bylisi në vend të 8-të me 15 pikë.

sfidanti.al