Mbi një miliard euro për të blerë 65.4% të aksioneve të Juventusit. Kjo është oferta joshëse e vënë në tryezë ndaj Exor, holdingut të familjes Agnelli-Elkann, për ta bindur të heqë dorë nga drejtimi i asaj që konsiderohet shumë më tepër se një klub futbolli: një kompani dhe një aset me vlerë historike dhe emocionale të paçmueshme (të paktën për momentin), përtej çdo vlerësimi financiar sado i lartë. Ja çfarë fshihet pas atij “jo, faleminderit” që është pranuar publikisht (“nuk ka negociata në zhvillim”) dhe i është komunikuar Paolo Ardoinos (drejtor ekzekutiv i “stablecoin”-it), për të shuar zërat mbi interesin – madje diçka më tepër se interes – të gjigantit të kriptomonedhave për emrin e madh të “Zonjës së Vjetër”.
Pse Juventusi nuk është në shitje pavarësisht ofertës së pasur të Tether
Detajet e operacionit që kanë dalë në orët e fundit do ta kishin befasuar këdo që do të ishte ulur në anën tjetër të tryezës së negociatave. Duke supozuar se ka ekzistuar ndonjëherë një gatishmëri reale për të diskutuar, gjë që bie ndesh me qëndrimin zyrtar të shprehur. Në thelb, Juventusi nuk do të shitet. Jo kështu, jo tani, jo ende. Ose ndoshta, nuk do të shitet kurrë.
Në një fazë kur shumë kompani të “galaksisë familjare” po marrin rrugë të ndryshme, Juventusi jo: nuk preket. Nuk është një “ndërmarrje e thjeshtë”. Nuk është një degë biznesi që mund të pritet. Është diçka që përzien dashurinë dhe pasionin, emocionet dhe ndjenjat e lidhura me kujtimin e Avokatit.
Dhe nëse dikush do ta shohë çështjen nga këndvështrimi i “parave”, edhe përmasat e marrëveshjes nuk konsiderohen të mjaftueshme për të lëkundur bindjet dhe për të hapur të paktën një diskutim. Pasuria e paluajtshme e klubit (Stadiumi, J-Medical, Continassa, Vinovo) e bën Juventusin një aset që vlen shumë, shumë më tepër. Janë llogari dhe arsye që kanë peshë, por në këtë fazë nuk mbizotërojnë ndaj faktorit të traditës familjare.
Refuzimi ndaj Tether nuk do të thotë se Juventusi përjashton forma investimi që mbeten brenda kornizës së bashkëpunimit, për të forcuar markën dhe për të zgjeruar burimet financiare dhe, rrjedhimisht, mundësinë për të rritur konkurrueshmërinë e skuadrës. Të hënën do të zhvillohet një mbledhje e jashtëzakonshme e Bordit të Drejtorëve, gjatë së cilës ka shumë gjasa që dera të mos mbyllet plotësisht për Tether, për sa kohë që pranohet opsioni i partneritetit tregtar. Një bashkëpunim i rëndësishëm, strategjik dhe thelbësor për rilançimin e bardhezinjve, por gjithmonë nën ombrellën e Agnelli-Elkann.
sfidanti.al

