E kush mund të dyshonte, Levandovski është lojtari i vitit i FIFA-s!

Një lojtar që shënon 55 gola në 47 ndeshje, që është më i miri i skuadrës së tij, dhe që fiton me këtë skuadër Championsin, Bundesligën, Kupën e Gjermanisë, Superkupën e Europës dhe Superkupën e Gjermanisë, po ashtu që është shënuesi më i mirë i Championsit, i Bundesligës dhe i Kupës së Gjermanisë, padyshim që do ta fitojë Çmimin e Futbollistit të vitit 2020 nga FIFA.

Ky futbollist ka emrin që e njohim të gjithë, Robert Levandovski, sulmuesi i Bajernit të Mynihut dhe i Polonisë, i pari polak që arrin në nivele të tilla ndonëse futbolli i vendit të tij pati një Lato apo një Bonjek. Levandovskit iu dha trofeu i shkëlqyer nga vetë presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, ndonëse ceremonia ishte virtuale, ndërsa gara ishte mes tij, Kristiano Ronaldos dhe Lionel Mesit. Ky ishte i vetmi çmim i madh për vitin 2020, pasi “Frans Futbolli” (France Football) nuk e zhvilloi anketën e Topit të Artë.

“Një trofe me shumë kuptim, – tha polaku më pas, – pak rëndësi ka nga vjen, rëndësi ka që ta fitosh. Shumë kohë më parë unë ëndërroja për diçka të tillë dhe tani ia dola. Të fitosh këtë gjë, siç kanë bërë Mesi apo Ronaldo, është e pabesueshme”. Suksesi i Levandovskit do të thotë se që të gjithë fituesit e Çmimit të FIFA-s, që kur ai nisi në 2016, kanë qenë mbi 30 vjet. Ronaldo ishte 31 e 32, Modriç 33 dhe Mesi 32. Vetë Levandovski është gjithashtu 32.

Sfidanti.al