Paulo Dybala e ka përfunduar sezonin përpara kohe me Romën, për shkak të një dëmtimi që kërkoi ndërhyrje kirurgjikale dhe e detyroi të ndalet tre muaj para mbylljes së kampionatit. Megjithatë, sulmuesi argjentinas arriti të aktivizojë klauzolën e rinovimit automatik, duke zgjatur kontratën me verdhekuqtë deri në vitin 2026. Në një intervistë për “TyC Sports”, Dybala foli mbi të ardhmen dhe dëshirën e tij për t’u rikthyer një ditë në Argjentinë. Ai zbuloi gjithashtu se shoku i skuadrës, Leandro Paredes, po e bind çdo ditë që të shkojë te Boca Juniors. Dybala, i rritur te Instituto de Córdoba, klubi që e çoi drejt Europës, tha: “E di që tifozët e Instituto duan të më shohin aty. Është një klub që më ka ndihmuar shumë në karrierë dhe i jam mirënjohës”. Sidoqoftë, zemra e tij është gjithashtu pranë Boca Juniors: “Im atë ishte tifoz i Boca. Dy vëllezërit e mi ishin me Independiente dhe River Plate, ndërsa unë isha më i vogli dhe më merrnin me vete kudo. Shkonim gjithmonë në stadium kur Boca luante kundër skuadrave të Córdoba”. Dybala shtoi: “Tifozët më shkruajnë shpesh dhe është ndjenjë e bukur. Nuk kam qenë kurrë në stadium për të parë një ndeshje të Boca. Kur po flisnim me Lea (Paredes) për pushimet…, Boca do të luante një ndeshje në Miami dhe ai donte të qëndroja për ta parë”. I pyetur mbi mundësinë për të luajtur në Argjentinë, ai u shpreh: “Nuk e di nëse do të ndodhë ndonjëherë, por do të më pëlqente shumë. Mendoj seriozisht për këtë. Paredes më bën presion çdo ditë për të shkuar te Boca”.
sfidanti.al