Duro nuk ndalet, e quan veten fitues, Bushi: “Do marrësh edhe Champions”

Të gjithë e mbajnë mend një baner gjatë ndeshjes Tirana – Teuta, nëprmjet të cilit, tifozët në një sektor të stadiumit “Selman Stërmasit” e cilësonin Klodian Duron “qen”, që kafshon dorën që e ushqeu, për të treguar se tashmë e kanë klasifikuar ish-mesfushorin e tyre, në grupin e mosmirënjohësve. Ky i fundit kishte bërë të ditur, një ditë përpara takimit, se edhe klubi bardheblu duhej dënuar nga FSHF, pasi ende nuk i ka shlyer detyrimet ndaj tij, pavarësisht se e ka fituar me gjyq këtë të drejtë.

Ndërkohë që Duro, së fundi as që është kujdesur për ta qetësuar situatën, por në llogarinë e tij në Instagram, i është drejtuar tifozëve të 24 herë kampionëve të vendit me një shprehje fyese: “Fituesit fokusohen për të fituar, humbësit fokusohen tek fituesit”. Dhe shënimi filozofik është shoqëruar me dy foto, në njërën Duro futbollist, me një trofe të fituar me uniformën e Tiranës, ndërsa tjetra trajner, ne trofeun e Kupës së Shqipërisë, të fituar në pankinën e Kukësit. Reagimi është thjeshtë për t’i hedhur benzinë zjarrit, ndërkohë që një përgjigje ironike ka ardhur menjëherë nga Alban Bushi, i cili shquhet për humorin e tij: “Me këtë mendje që ka, do ta fitojë edhe Champions-in”.