Me përfundimin e Asamblesë Rajonale të Lezhës ka përfunduar njëkohësisht edhe për caktimi i delegatëve që do të votojnë në Asamblenë e Përgjithshme Zgjedhore të FSHF-së. Dhe nëse një gjë e tillë do të ndodhte nesër, Duka dhe të gjithë ata që ka vendosur të jenë anëtarë të Komitetit Ekzekutiv, do të zgjidheshin me të paktën 90% të votave. Kështu që presidenti ja hodhi të gjithëve edhe një herë, si gjithmonë në këto 20 vjetët e fundit, diku duke bërë të fortin dhe diku tjetër duke luajtur viktimën. Ndërsa rivalit të tij Shako nuk i mbetet tjetër, veçse, ashtu siç na mungon me zërin e tij “dritherues” gjatë ndeshjeve të rëndësishme, t’i mungojë fizikisht edhe Asamblesë, për ta shijuar humbjen e thellë nga ekrani i televizorit, gjë që mund ta ndihmojë për ta ndërruar kanalin, ashtu siç kanë bërë njerëzit shpesh gjatë komenteve të tij.
Ndërkohë që lufta e shpallur nga Bashkia për të rrëzuar Dukën, ose ishte shumë e stisur, ose e projektuar shumë keq, aq sa ka sjellë një nervozizëm ekstrem që pasqyrohet në publik. Nëse e kishin parashikuar se me egërsinë e pushtetit do të pushtonin FSHF-në, gjithçka solli një efekt boomerang, duke bërë që të kalojnë në sfond bëmat e Dukës gjatë pesë mandateve të tij në krye të futbollit.
Presidenti “legjendar” erdhi në prag të këtyre zgjedhjeve me ndryshime në statut që e bënin automatikisht të përjetshëm në zyrën qëndrore të FSHF-së, ndërsa ata që tani ulërijnë kundër tij nuk bënë asgjë për ta ndaluar. Madje, këto ndryshime në statut, që i dhanë mundësi Dukës t’i shpërndante vetë mandatet, u miratuan edhe nga Ministria e linjës. Pra, atëherë u treguan indiferentë për të penguar këtë manipulim brutal, madje as u ka bërë ndonjëherë përshtypje për të treguar gishtin nga ndërtesa që vetë ia falën Dukës, për të denoncuar shpërdorimet e tij 20-vjeçare… dhe humbën. Ndërsa tani me ushtrinë e tatimorëve dhe zhurmën e fadromave të ndërtimorëve kanë humbur sërish, ose e dinin dhe po japin shfaqjen e radhes…
Kreshnik Shabani