Nëse do të kishe durim për të ndjekur atë pak Asamble Zgjedhore të organizuar nga FSHF, instiktivisht do të dukej vetja, sikur jetoje në të njëjtën kohë në dy botë të ndryshme. E para ishte ajo jashtë ndërtesës së federatës që vazhdon të jetë e mbushur me kërcënime, gjyqe, pezullime, aq sa u krijua përshtypja se një i shpallur “non grata” po kërkon një mandate tjetër në krye të futbollit. Ndërsa e dyta është ajo nëpër korridoret e institucionit të topit, ku gjithçka ishte entuziaste, fair play si kurrë ndonjëherë, e ngjashme me pushimin midis dy pjesëve të një festivali kënge.
Kështu, Boniek që kishte ardhur thjeshtë për dekor bëri një përshëndetje të shkurtër, duke kujtuar një ndeshje që kishte luajtur në “Qemal Stafa”, më shumë se 35 vjet më parë, kundërshtarët e Dukës as që kishin ardhur, qoftë edhe për një kontestim ballë për ballë, për atë që në faqet e gazetave vazhdojnë ta cilësojnë si skandalin e shekullit. Sul Starova mori katër votat e veta, ndërsa presidenti legjendar u rizgjodh me një fitore nga më të lehtat në karierën e tij të gjatë. Në sallë kishin mbërritur 43 nga 55 delegatët me të drejtë vote dhe gjatë proçesit të numërit, një zotëri ishte i detyruar të thërriste emrin Armand Duka plotë 39 herë, sikur të ishte regjistri i një klasë shkolle, ku të gjithë kishin pagëzuar veten me emrin e dashur të një prej nxënësve.
Pra Shakohoxha asnjëherë nuk mundi të përballet nga afër me rivalin e tij që pas ezaurimit të lidhjes së tyre së fortë shpirtërore, por edhe nëse do ta merrte këtë iniciativë, sigurisht që nuk do t’i shkaktonte as dëme të lehta anësore. Ed Prodani u mjaftua me zëvendësimin e Krenar Alimehmetit, madje që nga moment që ndodhi një gjë e tillë, duket se i mbaroi edhe gara për të rikonstruktuar futbollin. Ndërkohë që munguan edhe disa kryetarë bashkishë së pozitës, pikërisht nga ata të listës së Dukës, për të ndjekur falas Kombëtaren jashtë vendit… Ndërsa kryetari do të jetë po ai, pasi e fitoi pa kundërshtarë edhe ndeshjen e tij të gjashtë rradhazi.