Sipas të gjitha gjasave, e ardhmja e Etrit Berishës do të jetë Atalanta. Një lajm të tillë e ka konfirmuar edhe Federiko Pastorelo, agjenti i portierit shqiptar, një ndër më të rëndësishmit në Itali. “Etriti po ecën kaq mirë, saqë jam i sigurt se Atalanta do të ushtrojë të drejtën për ta blerë në fund të sezonit”, shpjegoi agjenti për mediat pranë klubit të Lazios.
Ndërkohë, tashmë është bërë i ditur edhe çmimi i kartonit të “gardianit” kuqezi, i cili u huazua në ekipin bergamask në ditën e fundit të merkatos së verës dhe aktualisht po e merr veten pas operacionit në gju. Nëse Atalanta do të pranojë për ta blerë përfundimisht kartonin e Berishës, duhet të derdhë në arkat e Lacios plotë 7 milionë euro.