Nuk është koha e Majkëll Xhordanit, por ditë të bukura edhe ka. Një e tillë ndodhi në përballjen e fundit në Arenën e Çikagos ku Bullsat arritën një fitore shumë të mundimshme. Këtë herë, emri fitues ishte Xhimi Batler. Njëzeteshtatëvjeçari shënoi koshin vendimtar pikërisht në kohën kur nisi të binte sirena që lajmëronte fundin e ndeshjes ndaj Bruklinit. Ai u përqafua nga shokët e skuadrës pasi fiksoi shifrat 101-99.
Ishte një sukses thuajse i pashpresuar, pasi miqtë kishin qenë 7 pikë në avantazh, kur kishin mbetur vetëm 2-3 minuta lojë. Batler luftoi fort gjatë gjithë kohës, madje edhe kur ishte me një dëmtim në këmbë, dhe në fund ia doli. Ai realizoi 40 pikë si dhe kapi 11 topa në tabela, një aftësi e rrallë për një lojtar 2 metra të gjatë, përballë basketbollistëve shumë më shtatlartë sesa ai.
Kjo ishte fitorja e 16-të e Çikagos, që ka gjithashtu edhe 16 humbje, dhe nuk mund të quhet një nga skuadrat më të mira të NBA-së. Gjithsesi, me ndihmën e Batlerit, apo të disa emrave të tjerë si Uejd apo Rondo, Bulls mund të bëhen kërcënim për këdo, mjaft që të mos kenë shumë dëmtime.