Është i madh edhe kur nuk e fiton Topin e Artë. Nuk reshtin madje, ata që thonë se është më i miri nga të gjithë. E vërtetojnë statistikat dhe Lionel Mesi u shpall organizatori numër 1 i futbollit botëror për këtë vit. Federata Ndërkombëtare e Statistikave dhe Historisë bëri kalkulimet e saj dhe nxorri se ylli i Barcelonës ka dhënë më shumë pasime për gol dhe pasime të përgjithshme sesa çdo lojtar tjetër në 2016. Gjithçka ishte e qartë që kur shikoje sesi e prisnin një ndeshje të argjentinasit tribunat e mbushura plot me tifozë në “Kamp Nou” apo në stadiume të tjera. Mesi, sipas Federatës së Statistikave ka marrë 172 pikë, duke tejkaluar vetveten, pasi në 2015 kishte fituar 168.
Në vendin e dytë ka dalë shoku i tij tek Barcelona, Andres Inesta, veçse shumë i distancuar, me vetëm 66 pikë, ndërsa podiumi plotësohet me Toni Krosin, organizatorin e Realit të Madridit, që ka fituar 45 pikë. Kros vjet doli i dyti, ndërsa në 2014 ishte ai organizatori më i mirë i botës. Në 10-en e parë bëjnë pjesë lojtarë të nivelit shumë të lartë si Mesut Ozil i Arsenalit, Mahrez i Leiçesterit, Modriç i Realit, De Brujn i Mançester Sitit, Pogba i Mançester Junajtidit, Hazar i Çelsit dhe Paje i Uest Hemit. Federata e Statistikave dhe Historisë e ka filluar vlerësimin në vitin 2006, kur fitoi për herë të parë Zidan, ndërsa më pas vijuan Kaka, tri herë Ksavi, dy herë Iniesta, Kros dhe tani Mesi.