Chelsea vendos çmim për Brojën

Me kalimin e ditëve listës së skuadrave, të cilat janë në gjurmët e Brojës, i shtohen emra të rinj. Pas interesit të shfaqur nga Uest Hemi dhe Volverhamptoni ekipi më i fundit i interesuar për Brojën është edhe Fulhami. Sipas tabloidëve në ishull ekipi i “Craven Cottage” po monitoron nga pranë zhvillimet më të fundit në lidhje me shqiptarin, i cili po shikohet nga klubi si burim fitimi për të gjeneruar para mjaftueshëm për të afruar një sulmues të madh.

Mësohet se shifra e kërkuar nga Çelsi për Brojën është shumë afër 50 milionë stërlinave pra rreth 58.3 milionë euro. Për momentin kjo shifër duket se ka “trembur” Uest Hemin, por Volverhamptoni dhe Fulhami kanë marrë kohë dhe po mendohen nëse të nisin sulmin final apo të presin qershorin. Strategjia e tyre mund të ishte penalizuese pasi me shumë mundësi Broja do të jetë pjesë e listës së lojtarëve, të cilët do të përfaqësojnë Shqipërinë në “Gjermani 2024”. Në rast të një Europiani të suksesshëm atëherë shumës së kërkuar nga Çelsi tani do t’i shtoheshin edhe disa dhjetra milionë euro të tjerë.

sfidanti.al