Çfarë po ndodh me Vllazninë dhe Skënderbeun?


Pas pushimit të imponuar nga Kombëtarja, Vllaznia dhe Skënderbeu duket se nuk janë rikthyer në fushën e lojës pasi vijonë të regjistrojnë rezultate jo shumë pozitive. Në ndeshjet e së shtunës, Laçi përmbys Vllazninë në “Loro Boriçi”, ndërkohë që fiton në transfertë edhe Teuta. Bardhezinjtë e Armando Cungut triumfuan 1-2 përballë kuqebluve shkodranë, duke regjistruar suksesin e dytë radhazi jashtë fushe. Pjesa e parë u mbyll më avantazhin e Vllaznisë, që kaloi në epërsi falë autogolit të Arlind Kurtit. Gjithsesi, kurbinasit reaguan në fraksionin e dytë të takimit, gjatë së cilit shënuan dy herë. 18-vjeçari Ledio Tresa realizoi golin e barazimit në minutën e 57’, ndërkohë që shtatë minuta përpara fundit Serxho Ujka shënoi një gol të bukur, duke i dhuruar tri pikë të rëndësishme Laçit. Tri pikë të arta siguroi edhe Teuta, që mposhti 0-1 Skëndërbeun. Shtatlarti Elmando Gjini realizoi me kokë golin e fitores në minutën e 75’. Ndërkohë, durrsakët kishin humbur një penallti në pjesën e parë. Me Alsid Krujën që goditi shtyllën nga pika e bardhë.

sfidanti.al