Berat Gjimshiti, një hero i pamenduar shqiptar në Serinë A!

Goli nuk ka qenë një specialitet i veçantë kuqezi në Itali. As Igli Tare apo Erion Bogdani nuk kanë mundur të jenë goleadorë të mëdhenj, ndonëse ky i fundit sikur ia ka dalë më shumë, por ja ku kemi një mbrojtës qendre. Berat Gjimshiti nxorri “nga balta” skuadrën e tij, Atalantën e shkëlqyer të trajnerit Gasperini, duke i dhënë fitoren në minutën e 93-të. Verona kishte kaluar dy herë përpara, të dy herët me anë të Samuel Di Karmines, ndërsa Ruslan Malinovski dhe Luis Muriel kishin barazuar për “DEA”-n.

Në fund mendoi mbrojtësi i qendrës i kombëtares së Shqipërisë, që nuk pati këtë herë një derbi me Marash Kumbullën. Djaloshi i ri i Veronës ishte në stol, i kthyer nga dëmtimi, ndërsa në fushë për Helasin ishte mbrojtësi i përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani. Fitorja ishte e rëndësishme sepse e mbajti Atalantën në vendin e pestë në renditje, vetëm 1 pikë larg zonës Champions, ku është Roma.

“Ky i sotmi ishte një gol i rëndësishëm për mua dhe për skuadrën, – u shpreh mbrojtësi i kombëtares, – e dinim se do të ishte një ndeshje e vështirë, pas dy humbjeve radhazi në shtëpi. Duhej të fitonim me patjetër dhe jemi të lumtur që ia dolëm. Gabuam shumë, dhe kundërshtari na krijoi shumë vështirësi, por fituam falë mentalitetit tonë”. Gjimshiti ia dedikoi golin familjes së tij dhe të dashurës së tij, ndërsa pati një mendim edhe për Championsin: “Ndeshja është si një finale”.

Sfidanti.al