Në vitet 90-të me shumë gjasë ishte sulmuesi më i mirë i botës. Gabriel Omar Batistuta shënoi gati 350 gola në karrierë, dhe ishte një nga lojtarët besnikë të një skuadre, edhe pse Fiorentina nuk ishte “dashuria e tij e vetme”. Pas Njuellsit, River Plejtit dhe Bokës në Argjentinë, luajti 9 sezone në Serinë A me “vjollcët” e Firences, duke qenë idhulli i dhjetëra mijë tifozëve.
E kërkuan Reali, Milani dhe Mançester Junajtidi, por ai nuk e braktisi Fiorentinën, përveçse në fund të karrierës, për 3 sezone tek Roma, ku fitoi më në fund titullin kampion (2001). Sot, pas shumë vitesh, Bati-Gol tregon arsyet se përse refuzoi klubet e mëdhenj.
“Kur shkon në një klub të madh, gjithnjë futbollisti trajtohet si një produkt, – ishin fjalët e tij, – nuk doja të isha në atë rol, nuk doja të isha lider i një skuadre të tillë, por më mirë në qetësinë e Firences, edhe pse aty nuk fitova trofe. Isha i sigurt se edhe tek Reali do të kisha sukses, do të shënoja më shumë se 200 gola, por do të mërzitesha. Unë e quaj veten fitues, sepse bëra të lumtur qytetin tim dhe sepse luftova si i barabartë me të mëdhenjtë”.
Me Fiorentinën fitoi vetëm Kupën e Italisë dhe Superkupën e Italisë, me Romën Serinë A dhe Superkupën e Italisë, ndërsa në Argjentinë doli dy herë kampion, me Riverin dhe Bokën. Në 1993, goli i tij bëri që Argjentina të fitonte Kupën e Amerikës së Jugut, të cilën e fitoi edhe në 1991.
Sfidanti.al