Në mediat gjermane kritikat ishin gati, dhe padyshim ato nuk kanë munguar, por lavdërimet gjithashtu kanë qenë të shumta për një legjendë si Uli Hënes. Analizën më të bukur për presidentin e Bajernit e bëri analisti i “Shport Bildit” (Sport Bild), Raimund Hinko, një njeri që i qendron bavarezëve pranë prej dekadash.
“Javën që kaloi, – shkruante ai, – ne folëm për golin tënd (të Hënesit) ndaj Liverpulit në nëntor 1971, kur Bajerni arriti në çerekfinale (të Kupës së Kupave), ndërsa këtë të diel, ne komentuam paraqitjen tënde të shkëlqyer në spektaklin televiziv “Dopelpas”. Ti ishte po aq aktiv sa 50 vjet më parë, jo me këmbë, por me kokë”.
Pra, cili është aktiviteti i tanishëm i Uli Hënesit, në një Bajern që papritur po zhvillon një sezon të mirë? Analisti Hinko vlerëson se falë strategjisë së tij, trajneri Niko Kovaç ka një skuadër me yje që do të shkëlqejnë për 10 vjet, si Kimih, Koman, Gnabri, Gorecka, Zyle apo Toliso (mosha 22-24 vjeç), të cilëve u shtohen mjeshtri i pasimeve, Tiago Alkantara dhe talenti i madh i Hames Rodrigezit, të dy nga 27 vjeç. Shto veteranin Havi Martinez, si dhe dy të vjetrit e mëdhenj, Frank Riberi e Arjen Roben. Ky është Bajerni i sotëm dhe i së ardhmes.
Hënesi dhe Rumenige bindën Levandovskin që të mos largohej, dhe polaku është tepër i rëndësishëm, edhe duke mos shënuar shumë gola. Në verë pritet që Bajerni të hidhet në sulm për Lukas Hernandezin e Atletikos së Madridit dhe Timo Vernerin e Lajpcigut. Tashmë, prova e madhe është ajo me Liverpulin në “Alianc Arena” në 13 mars në Champions.
Jo vetëm kaq, por Uli Hënesi ka arritur të gjejë 120 milionë euro për t’i investuar në Arenën e re të basketbollit, në të cilën Bajerni do të luajë në Euroligë që nga viti 2021. Ato para janë shërbyer nga Ditrih Mateshiç i Red Bullit dhe Ditmar Hop i Hofenhajmit, pra Hënesi do të ketë mundësi të kursejë para për të marrë lojtarë në skuadrën e futbollit.
Sfidanti.al