Thuajse të gjithë e quajnë tashmë si “Lebronin” e ri. Janis Antetokumpo është simboli i brezit të ri të kampionëve në NBA, por ka edhe fatin se luan në një skuadër shumë të mirë. Miluoki Baks mund të mos ketë emrin e Lejkërsave, Bostonit, Çikagos apo Golden Stejtit, por e tashmja vlen ndonjëherë më shumë sesa e shkuara.
Kryesuesja e Konferencës Lindore ia doli ta fitonte ndeshjen e radhës edhe pa liderin e saj, Antetokumpon, i cili ishte i dëmtuar. Çikago u mposht brenda në fushën e saj, 117-106. Kjo do të thotë se janë fituar 17 nga 19 ndeshjet e fundit, dhe 24 nga 28 gjithsej që nga fillimi i vitit.
Kris Midëllton dhe Malkolm Brogdon shënuan, secili, nga 22 pikë, ndërsa një ndihmë të rëndësishme e dha malazezi me pasaportë spanjolle, Nikola Mirotiç, që shënoi 13 pikë.
Trajneri Majk Badenholzer ishte optimist se Antetokumpo do të mungonte fare pak, dhe se ai kishte nisur stërvitjen individuale. Miluoki është skuadra më e mirë e sezonit në NBA, me 46 fitore e 14 humbje, në krye të Konferencës Lindore. Në kontrast, Golden Stejti që kryeson në Perëndim, ka 43 fitore e 17 humbje.
Sfidanti.al