Istanbul Bashaksehirspori është skuadra ku bën pjesë Sokol Cikalleshi. Ky fakt e lidh klubin nga Turqia me futbollin shqiptar, ndërsa historia e tij në këtë sezon është kthyer në kuriozitet europian dhe botëror. Themeluar vetëm 26 vjet më parë, Bashaksehiri është në krye të Superligës turke, duke luftuar dhëmb për dhëmb me gjigandët tradicionalë, Gallatasaraj, Fenerbahçe e Beshiktash. Pas 12 javësh kampionat, skuadra e sulmuesit të kombëtares shqiptare është ende e pathyer, dhe në krye të renditjes.
Shanset për fitimin e titullit janë të mëdha, edhe pse është tepër shpejt për të bërë parashikime. Në përballjet direkte, Bashaksehirspori mposhti Fenerin në javën e parë, si dhe doli nga stadiumi i Gallatasarajit me tri pikët në xhep. Trajneri Abdullah Axhi cilësohet si vendimtar në këtë sukses, por kuptohet edhe financimi i fuqishëm i viteve të fundit. Cikalleshi (në foto, në sfond djathtas) po luan pak në një skuadër shumë të fortë, ndonëse kavajasi tregoi veten me golin e shënuar mbrëmë në Kupën e Turqisë, duke siguruar fitoren 1-0 jashtë fushe. Ka vetëm një fakt që nuk është aspak pozitiv për Istanbul Bashaksehirsporin, mesatarja e tifozëve në stadiumin e tyre është vetëm 2 000.