Rej Manaj e kaloi “purgatorin” dhe u kthye në “parajsë”, ndonëse me kusht. Trajneri Masimo Odo vendosi ta falë sulmuesin shqiptar, të ndëshkuar disa ditë më parë për thyerje të disiplinës, dhe ai u aktivizua si zëvendësues në ndeshjen e Kupës së Italisë që Peskara luajti në fushën e Atalantës. Zgjati, pra, vetëm 1 përballje ndëshkimi nga ana e trajnerit për 20-vjeçarin e huazuar nga Interi, ndërsa shkaku ishte sherri me njërin nga portierët e ekipit.
Në një ndeshje të konsideruar jo si shumë të rëndësishme, të dyja skuadrat luajtën me mjaft lojtarë rezervë, dhe në stol për Peskarën ishin Manaj, Memushaj dhe Maloku, pra tre shqiptarë. Manaj u aktivizua shpejt, që në minutën e 24-ët të ndeshjes, ndërsa Memushaj në minutën e 59-të. Atalanta fitoi 3-0, pa Etrit Berishën që kishte ditën e informacionit.