Skuadra braziliane, Çapekoense, dhe pjesëtarët e tjerë të flurimit të avionit që pati fundin tragjik në malet e Medelinit, ndoshta mund të ishte shpëtuar nëse gjithçka do të ishte kryer siç duhet. Kjo merret vesh nga regjistrimi i bisedës së fundit të njërit prej pilotëve me kullën e kontrollit në aeroportin e qytetit kolumbian. “Kemi probleme me karburantin, – dëgjohet zëri i pilotit Migel Alehandro Kiroga, – kërkoj leje që të ulem”. Kontrolluesja në kullë i përgjigjet se kishte ndryshuar orarin e tre fluturimeve për t’i dhënë përparësi dy avionëve të tjerë, njëri prej tyre i të njëjtës kompani, Viva Kolombia, që kishte më shumë kohë që priste.
“Jemi në emergjencë me karburantin, për këtë arsye po të kërkoj edhe një herë tjetër që të zbresim”, – vazhdoi Kiroga me insistim. Piloti komunikoi edhe një herë të tretë, pasi kontrollorja ruajti radhën e përparësive, duke i thënë se “kemi mangësi elektriciteti dhe karburanti”. Pas kësaj, kontrollorja nisi veprimet, por ishte vonë dhe piloti i thirri se gjendja ishte shumë e rëndë dhe se kishte humbur sinjalin e radarit.
Përfundimi ishte që avioni u rrëzua dhe 71 nga 81 njerëz në bord humbën jetën, përfshi shumicën e futbollistëve të Çapekoenses. Sipas hetimeve ka dalë se aeroplani duhej të ishte furnizuar në Bogota, dhe duket e habitshme që kjo nuk ndodhi.