Uli Hënesi, i sapokthyer në funksionin më të lartë në klubin e Bajernit të Mynihut, pavarësisht nga fillimi aspak bindës i ekipit bavarez në këtë sezon, është i bindur se Bajerni ka në dispozicion një përbërje lojtarësh që nuk ka nevojë për asnjë përforcim. “Trajneri Ançeloti ka qenë i pafat, sepse disa lojtarë të rëndësishëm kanë qenë të dëmtuar në të njëjtën kohë. Që të tregosh lojë të mirë, duhet të kesh në dispozicion futbollistët më të mirë dhe që ata të mos ta humbasin ritmin, diçka që ne nuk mund ta arrinim, për shkak të dëmtimeve.
“Të them të drejtën, unë nuk mendoj se ekipi ka nevojë për ndonjë përforcim gjatë sezonit dimëror të ardhshëm të transferimeve. Së pari, më thoni se cili klub i madh është gati që të japë futbollistë të rëndësishëm në mes të sezonit dhe, së dyti, Bajerni, aktualisht, ka përbërjen e lojtarëve më të fortë në histori. Jam i bindur se me një ekip të tillë, Bajerni do të mund t’i realizojë ambiciet e veta”, thekson Hënesi.