Nga Polonia pati lajme shqetësuese se futbollisti kryesor kishte një problem në kavilje pas ndeshjes me Italinë. Tek Bajerni u mërzitën shumë dhe menduan se mund të mos e kishin për ndeshjen e fundjavës në Bundesligë ndaj Bilefeldit, por mjaftoi sfida tjetër e polakëve në Ligën e Kombeve, që të largohej çdo dyshim. Robert Levandovski jo vetëm që ishte titullar, por edhe shënoi dy gola në suksesin 3-0 ndaj Bosnjë-Hercegovinës. Kjo ndodhi në minutat 40-të e 51-të, dhe tani rekordmeni ka 63 gola për kombëtaren në 114 ndeshje. Për hir të së vërtetës, trajneri Brzheçek nuk deshi ta lodhte, dhe i dërgoi një mesazh miqësor Bajernit duke e zëvendësuar Levën në minutën e 58-të kur rezultati ishte 3-0. “Unë jam në formë shumë të mirë, por trajneri nuk deshi të rrezikonte për shkak se mund të merrja ndonjë goditje në kavilje, – tha Levandovski më pas, – fizikisht ndihem mirë, ajo që ndodhi ndaj Italisë ishte vetëm një goditje”.
Sfidanti.al