Kombëtarja e “tre luanëve” vendosi një rekord negativ për vetveten në ndeshjen e Ligës së Kombeve ndaj Danimarkës në “Uembli”. Humbja 0-1 u shkaktua nga goli i Kristian Eriksenit, por u shoqërua me përjashtimin e dy lojtarëve me karton të kuq, Harri Megajerit që në minutën e 34-ët, dhe Risi Xhejmsit pas përfundimit të ndeshjes. Kjo ishte hera e parë në historinë e Anglisë, në plot 150 vjet jetë. Pra u deshën 1 005 ndeshje që të përjashtoheshin dy njëherësh.
Trajneri Sauthgejt ishte padyshim i shqetësuar dhe bëri një thirrje për lojtarët e tij. “Duhet të disiplinohemi, ndryshe jemi të humbur, – tha ai, – nëse ke një apo dy të përjashtuar në finalet e një turneu të madh, atëherë eleminohesh pa dyshim. Duhet të nxjerrim mësimë, ndërsa disa kohë më parë nuk kemi pasur probleme të tilla”. Anglia ishte vlerësuar si një nga kombëtaret më të mira të botës kohët e fundit, me fitore ndaj Kroacisë, Spanjës apo tani edhe Belgjikës, veçse shqetësimet kanë nisur jashtë fushe.
Megajer, Grinvud, Foden, Sanço apo edhe të tjerë patën shkelje të rregullave të kombëtares apo të koronavirusit, ndërsa nervozizmi u shfaq edhe në fushë. Sauthgejti mbron Megajerin: “Ai është kapiten i Man. Junajtidit, një lojtar i kombëtares, do të ketë gjithnjë debate për të, dhe ai duhet t’i përballojë, e unë jam i bindur se do t’ia dalë”.
Sfidanti.al