Filip Kutinjo zbriti në Mynih për t’u bashkuar me skuadrën e tij të re, Bajernin, dhe bavarezët falenderuan thellësisht Barcelonën. “Duhet të falenderoj Barcelonën, – tha shefi ekzekutiv, Rumenige, – e kam mik presidentin katalanas (Bartomeun), dhe ai na ndihmoi shumë. Është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, cilësia e tij do të na ndihmojë në sulm. Jemi të lumtur”. Trajneri bavarez, Niko Kovaç, u shpreh se “për Kutinjon nuk duhet të lumturohen vetëm tifozët e Bajernit, por të gjithë tifozët e Bundesligës, pasi një lojtar i tillë rit cilësinë e kampionatit”.
Nëse Bajerni është i lumtur, dhe Barcelona duket e qetë pas huazimit të paktën për një vit, nuk mund të thuhet kështu për Liverpulin. Klubi anglez do të merrte 160 milionë euro për kartonin e brazilianit, por deri tani ka marrë “vetëm” 135 milionë. Plot 25 milionë euro të tjera nuk do të mbërrijnë në “Anfild”, pasi ato do të jepeshin nëse Kutinjo do të luante 100 ndeshje për katalanasit, dhe do të fitonte Championsin, gjëra që nuk kanë ndodhur.
Sfidanti.al