Sa shumë kohë duket sikur ka kaluar nga fitorja e madhe! E pra, suksesi 7-2 në fushën e Totenhemit në Champions ndodhi vetëm dy apo tri javë më parë, por Bajerni ndihet sikur është në një sezon tjetër. Tashmë, bavarezët shkojnë drejt Pireut, me etiketën e krizës, dhe kjo jo për faj të Europës, por të asaj që po bëjnë në Bundesligë.
Një humbje dhe një barazim kanë shtuar presionin mbi ekipin dhe trajnerin Niko Kovaç, që mbetet gjithnjë në dyshim, ndërsa problemet janë shtuar me dëmtimet. Niklas Zyle thuajse ka mbyllur sezonin, dhe kampionët e Gjermanisë kanë një problem në qendër të mbrojtjes, ku po pësojnë shumë gola.
“Është e vërtetë që jemi të pasigurt në atë pozicion, – pohoi trajneri kroat, – kjo ndodh sepse kemi ulur përqëndrimin, ndaj duhet të reagojmë. Gjithsesi, nuk kam asnjë dyshim tek skuadra ime. Bajerni është ndërtuar për të fituar çdo ndeshje. E di se do të jetë e vështirë ndaj Olimpiakosit, që ka tifozë të zjarrtë dhe është i fortë në fushën e tij. Gjithsesi, nuk mendoj humbjen, por fitoren”.
Kovaç duhet të zgjedhë nëse do të ketë titullar Kutinjon, apo do t’i japë një shans Tomas Mylerit, pas polemikave të fundit. Përveç Zyles, i dëmtuar është edhe sulmuesi i ri, Arp, por të gatshëm janë mbrojtësit Lukas Hernandez e Alaba, ashtu si mesfushori Gorecka
Bajerni kryeson grupin me 6 pikë, ndërsa rrezikon eleminimin Totenhemi, nënkampion i Europës që mendohej se nuk do të kishte problem për t’u kualifikuar. Anglezët kanë vetëm 1 pikë, ndërsa përmbi ta ndodhet Crvena Zvezda, kampionia e Serbisë që triumfoi ndeshjen e kaluar ndaj Olimpiakosit në Beograd.
Sfidanti.al