I pasigurt për fatin e tij është ekipi, por edhe trajneri. Reali rrezikon një eleminim të bujshëm nga Championsi, dhe Zinedin Zidan mund të marrë urdhërin për shkarkim, në rast se skuadra dështon në “Misionin Turk”. Madridi, 13 herë kampion i Europës, ka shkuar në Stamboll me objektivin e vetëm për të fituar ndeshjen, ndryshe mund të pësojë një dështim të madh në sezon.
Me vetëm 1 pikë në dy ndeshje, spanjollët janë në vend të fundit, ndonëse shumë pranë Bryzhit e Gallatasajit. Formacioni turk do të jetë përballë në Turqi, në një ambient të tmerrshëm, dhe kuptohet që nuk do të jetë e lehtë, as për një ekip ekspert si Reali. Për më tepër mungojnë 5 lojtarë, të tillë si Modriç, Kros apo Bejl. Gazetat e kryeqytetit e kishin temë kryesore fatin e trajnerit dhe rrezikun e skuadrës. “Marka” dhe “AS” kërkojnë që Reali të reagojë dhe të fitojë, ndërsa theksojnë mbrojtjen që kapiteni Ramos i bën trajnerit të tij.
“Nuk mendoj fare për pozicionin tim, – deklaroi Zidani, – të jetë për mua, unë rri gjithë jetën këtu, por për fatin tim duhet të pyesni dikë tjetër. Mendimi im është vetëm fitorja e ndeshjes së radhës, dhe puna për të arritur objektivat e për të fituar tituj”.
Në pozita krejt të kundërta, Paris SG, kryesuesi i grupit A. Francezët kanë një ndeshje të vështirë në fushën e Bryzhit në Belgjikë, ndonëse janë të qetë pasi kanë fituar dy ndeshjet e deritanishme, 3-0 me Realin dh 1-0 në Stamboll me Gallatasarajin. Gjithsesi, shqetësimet për trajnerin Tuhel nuk mungojnë, sidomos me treshen e sulmit, pasi Nejmar mbetet i dëmtuar, ndërsa Kilian Mbape dhe Edinson Kavani nuk janë në gjendje të luajnë 90 minuta.
“Duhet të vendosim nëse Mbape dhe Kavani do të jenë titullarë, apo do të jenë zëvendësues, – pohoi Tuheli, – është mirë që ata janë me ne, pasi jemi më të fortë kështu. Gjithsesi, kemi edhe lojtarë të tjerë që janë përgjigjur siç duhet. Nuk do të jetë e lehtë, luajmë jashtë fushe dhe në Champions, në garën më të vështirë në Europë”.
“Të mbetemi në majë, – titullon gazeta “L’Ekip”, – suksesi e tretë radhazi do të bënte që parizienët të konsolidonin superioritetin e tyre në krye të grupit”. Paris SG ka 6 pikë pas dy ndeshjeve, Bryzhi e ndjek me 2, ndërsa Gallatasaraj e Reali kanë nga 1 pikë.
Sfidanti.al