Këto ditë të lavdishme sot janë tepër larg. Po mbushen 5 vjet që kur Armando Sadiku mbërriti kulmin, duke shënuar golin e parë shqiptar në fazën finale të një Europiani, ndërsa sot ai duhet të shpëtojë karrierën duke luajtur 11 000 km larg kryeqytetit të Shqipërisë, Tiranës. Sulmuesi i shquar, sot në moshën 29-vjeçare, ka kaluar tek Bolivari i La Pazit në Bolivi, ku do të përpiqet të rikthehet në nivelet e dikurshme.
Se çfarë është Amerika e Jugut, të paktën Bolivia, e tregoi miqësorja e parë që Sadiku luajti për Bolivarin, ku shënoi dy gola dhe që përfundoi 4-4. Gjithsesi, edhe pse 11 000 km larg Europës, besohet se shqiptari nuk është larg pretendimeve financiare që pati në kontinentin e vjetër. Mediat boliviane shkruajnë se Sadiku është një futbollist i nivelit të pagesës prej 1 milionë eurosh në vit, madje edhe më shumë.
Kur kaloi tek Levante në Spanjë, ai fitonte 1.2 milionë euro në vit, një pagesë tepër e lartë që u bë barrë sidomos kur lojtari pësoi një dëmtim serioz. Më pas u huazua tek Malaga, me të cilën luajti në ligën e dytë të Spanjës dhe ku shkëlqeu në sezonin 2019-2020. Sadiku shënoi 13 gola në 36 ndeshje, duke shërbyer edhe një asist, por huazimi ndodhi vetëm me kushtin që Malaga t’i paguante vetëm 100 000 euro në vit, ndërsa pjesën tjetër ta mbulonte Levante.
Siç shkruajnë mediat në Bolivi, klubi i Bolivarit nuk pritet ta ketë marrë lirë një sulmues të tillë, që mund të ketë kërkuar pagesë të ngjashme me atë në Europë, pra në nivelin e 1 milionë eurove. Në këtë vend është vështirë të mësohet zyrtarisht pagesa, por komentet janë që Sadiku duhet të shkëlqejë që të meritojë një shpërblim të tillë.
Sfidanti.al