Dorën e parë ia dha Frenk Lampard, por edhe Tomas Tuheli e vlerëson lart. Armando Broja mbetet një emër i rëndësishëm tek Çelsi, edhe pse po flasim për ekipin që u shpall kampion i Europës pak ditë më parë. Mediat e rëndësishme globale si “Skaj Sports” informojnë se klubi londinez ka vendosur të hapë bisedimet me sulmuesin shqiptar për një kontratë të re, ndonëse për momentin ai është në huazim tek Viteshe në Holandë. Trajneri Tuhel ka nevojë për alternativa në sulm sepse këtë verë nga “Stemford Brixhi” pritet të largohen edhe Olivie Zhiru, edhe Tami Abraham.
Zhiru me shumë gjasë do të shkojë tek Milani, ndërsa Abraham ka dalë jashtë planeve të teknikut gjerman, dhe është përdorur më shumë në ndeshjet e kupave. “Skaj Sportsi” bën me dijë se Broja synohet të bëhet pjesë e skuadrës së Çelsit në javët e ardhshme, ndërsa kontrata e firmosur në 2020 përfundon në verë 2022. Mësohet se mjaft klube në Europë i duan shërbimet e tij.
Futbollisti 19-vjeçar bëri përshtypje shumë të mirë këtë sezon duke shënuar 11 gola në 36 ndeshje në elitën e futbollit holandez, e duke qenë adoleshenti më i mirë në Europë në këtë statistikë. Ai u vlerësua si lojtar-kyç që Viteshe arriti vendin e katërt në Eredivizie dhe u kualifikua për në kupat e Europës. Broja sot është diçka krejt tjetër në krahasim me verën e kaluar kur Blutë e Londrës e huazuan në Holandë, sepse shqiptari i ri e shfrytëzoi maksimalisht këtë mundësi që iu dha.
Sfidanti.al