Tek Bajerni ka një mënyrë të veçantë sesi bëhen punët, dhe që ngjan paksa me atë në kombëtaren e Gjermanisë. Shefi ekzekutiv bavarez, që largohet pas pak ditësh, Karl-Hajnc Rumenige, thotë me krenari se klubi ka vepruar për të siguruar një tranzicion të butë të pushtetit nga një brez në një tjetër. “Ne patëm një fazë të gjatë kalimtare, – tha Kalle, – pasi ne e morëm më herët Oliver Kahnin dhe ai pati mundësi të mësonte, të fitonte përvojë, sesi funksionojnë gjërat tek Bajerni. Ai ka qenë një lojtar shumë i suksesshëm me ne, por flasim në anën drejtuese, pasi ju siguroj se punët janë ndryshe në “katin e dytë”. Ne kishim përgjegjësinë tonë për këtë, por unë dua që ai ta nisë sezonin e ri në krye të punëve”.
Rumenige është i zemëruar me autoritetet shëndetësore dhe shtetërore në Gjermani që po veprojnë shumë ngadalë për kthimin e tifozëve në stadiume. “Ne ishim të parët që nisëm futbollin gjatë pandemisë, – tha ai, – por, po bëhemi të fundit për të kthyer tifozët në stadiume. Isha në Porto, në finalen e Championsit, dhe pashë se çfarë atmosfere ishte atje. Me tifozë është shumë më mirë, por kjo nuk është sekret”.
Sfidanti.al