Ambasador Loriku, tani nuk është më luftëtari i dikurshëm

Vazhdon ende jehona e një interviste të drejtorit të Lacios, Igli Tare, i cili e ka vlerësuar futbollin që luhet në Shqipëri pa komplekse, ashtu siç në të vërtetë është. Dhe meqenëse analizën e bën një personazh që nuk ka asnjë arsye për të qenë servil, konkluzioni i tij është domosdoshmëria e largimit të drejtuesve aktualë të FSHF-së, të cilët prej kohësh drejtojnë një futboll thellësisht të manipuluar. Ky është konstatimi i një prej drejtuesve më të suksesshëm në Itali, por që në fund nuk e vuri kandidaturën e tij për zgjedhjet e vitit të ardhshëm në FSHF, pasi ende e ndjen veten të lidhur ngushtësisht me Lacion. Ndërkohë që së fundi është lakuar edhe emri i një tjetër laciali, Lorik Canës, por duket se ish-futbollisti nuk është më luftëtari i dikurshëm edhe jashtë fushës së lojës. A e mbani mend kur i bënte skuadrës mbledhje në fushë edhe kur ndeshja kishte përfunduar? Kur vraponte në të gjithë pistën e stadiumit, duke i treguar tifozëve tatuazhin e ri, shqiponjën, apo kur humbiste ndonjë top përpara portës tonë dhe tregonte me gisht Mavrajn? Tani Loriku është zbutur ndjeshëm dhe pret ndonjë asist nga Duka, për të qenë protagonist edhe në të ardhmen dhe diçka të vogël e ka marrë. Shefi i Federatës e ka emëruar Ambasador për të bindur fëmijët shqiptarë të luajnë futboll, si dhe e ka shpeshtuar organizimin e takimeve me gazetarët, ku shfaqet së bashku me ish-kapitenin  e Kombëtares. Cana mbetet një figurë e madhe, por nuk po përdoret për të sensibilizuar fëmijët, por si imazh i një fushate zgjedhore, të cilën tashmë Duka e ka filluar me vrull.

Ndërsa kur e pyesin gazetarët, nëse ka nevojë Federata për emra të rinj në drejtim, “luftëtari” i dikurshëm jep një përgjigje evazive: “Duhet të mbajmë njerëz që kanë përvojë, që të mbajnë disa vlera nga e kaluara, si dhe për efekt të njohjeve që kanë pasur. Por gjithmonë duhet të mbështetemi te njerëz të rinj, të cilët e njohin dhe realitetin tonë, por kanë qënë edhe jashtë. Nuk jam unë personi i duhur që mund të bëj ndryshime, Igli mund ta bëjë se ka më shumë përvojë dhe njohuri”. Igli do të jetë edhe për disa kohë në Romë, ndërsa njerëzit me përvojë dhe me njohje nga e kaluara i kemi në krye për më shumë se një dekadë… dhe në fakt Cana e ka një farë të drejte. Në atë ngrehinë të kalbur që drejton këtë lloj futbolli fare të pasinqertë ka disa që dinë vërtetë shumë, aq shumë sa askush nuk do të donte të rëfeheshin.