Kamza, Ramadan Ndreu dhe fjalët e dikurshme të Guardiolës

Pep Guardiola tha dikur me sinqeritet dhe diplomaci se, “nëse nuk do të kishte qenë Mesi, unë do të kisha mbetur trajner në kategorinë e dytë”. Ramadan Ndreu nuk është Guardiola, por një trajner shqiptar, njeri tipik i futbollit të këtij vendi që ka manovruar shumë mirë mes detyrës në stol dhe asaj në zyrë, si shef klubi te Kastrioti i tij i Krujës.

“Dania”, siç e njohin të gjithë, është sot në momentin më të mirë të karrierës dhe kjo pasi pati mundësi të merrte në dorë një skuadër për të qenë. Ndryshe nga Kastrioti, Kamza e Qarrit dhe e Mziut ka më shumë ambicie, pasi ka më shumë forcë financiare. Ndreu nuk ka në dispozicion Mesin, Ksavin apo Iniestën, por gjithsesi ka emra të mirë për futbollin tonë, si Halilaj, Plaku apo Raçiç, lojtarë që kanë luajtur shumë mirë më parë me Kukësin, Tiranës, Partizanin apo Skënderbeun.

Në këto kushte dhe falë përvojës së shumë viteve punë, që Dania e vlerëson shumë, ai po bëhet një emër i rëndësishëm i trajningut të Superligës. Barazimet me Kukësin në shtëpi e Skënderbeun në Korçë, si dhe fitorja në Kamzë me Partizanin, flasin vetë. Gjithsesi, ndryshe nga Guardiola, Ndreu është i ndërgjegjshëm se në kampionatin shqiptar ka edhe një aleat tjetër, që nuk e gjen në Spanjë, dhe që në thonjëza mund ta quajmë “pëlhura e Penelopës”. Skuadrat shqiptare çdo verë ndryshojnë me themel dhe kjo bën që Partizani apo Kukësi të dobësohen vetvetiu dhe Kamza ta ketë më të lehtë për t’i përballuar.

Sfidanti.al