Zhoze Murinjo tha se ai është shumë i kënaqur që klubi e mbështeti mjaft Zllatan Ibrahimoviçin pas dëmtimit të rëndë që ai pësoi në prill të këtij viti, ndërkohë që ai luajti në 15 minutat e fundit të ndeshjes së Premier Ligës që Junajtidi e fitoi 4-1ndaj Njukasllit. Por, megjithatë, trajneri portugez vuri në dukje se një lojtar tjetër është i pazëvendësueshëm në ekipin e tij. Fjala është për Pol Pogban që, gjithashtu, u kthye në ekip në të njëjtën ditë me Ibran, mbas një pauze prej 12 ndeshjesh, për shkak të një dëmtimi.
“Pogba ndikon te loja e ekipit tonë. Kur ai u dëmtua, unë u detyrova që ta mbyllja gojën, pasi mendova se kjo ishte mënyra më e mirë. Sigurisht që ne nuk qamë, por duhej që të gjenim një zgjidhje, jo vetëm kur ai u dëmtua, por edhe për të ardhmen. Ne e dimë se ka lojtarë, mungesa e të cilëve ndihet në nivelin e përgjithshëm të ekipit. Kur ai është në fushë, ekipi bëhet më krijues, kemi opsione të tjera dhe, tani, ne, të gjithë, jemi të gëzuar që Pogba u kthye në fushë”, deklaroi Murinjo mbas fitores 4-1 të Junajtidit ndaj Njukasllit.
Sfidanti.al