Gjatë pjesës së dytë të ndeshjes derbi mes Partizanit dhe Tiranës, kamerat fokusuan në tribunë trajnerin e Kombëtares, Sylvinho, gjithmonë i pranishëm në sfida të rëndësishme por mesa duket, lapsi dhe letra që merr me vete për të mbajtur shënimet e rastit, edhe këtë herë nuk janë përdorur. I shoqëruar nga presidenti Duka, ndoshta me shumë mundësi ka shijuar më shumë gotën e verës pas sfidës sepse 95 minutëshi i fushës së blertë ishte një tjetër spektakël i fikur.
Edhe tifozët në tribuna që dikur ishin krenaria dhe bukuria e sfidave derbi, këtë herë u mjaftuan me disa kore për rivalët por asgjë më shumë, pasi menuja kryesore, ajo në fushën e lojës, ishte vërtet shumë e varfër. Sylvinho “qokën” e tij edhe këtë herë e bëri duke na treguar se detyrat e tij i bën shumë mirë e nuk është aspak faji i tij që brumë në këtë futboll të “vdekur” nuk ka.
Superiorja e vitit 2024 është sigurisht edhe më e dobët se ajo e vitit paraardhës e kjo duket qartë në fushën e lojës ku çdo 90 minutësh, në Korçë, Tiranë, Shkodër apo Rrogozhinë e Durrës, duket një kopje identike dhe e shëmtuar e tjetrit. Kombëtarja e Sylvinhos nuk ka pasur nevojë për këtë Superiore dhe aq më pak ka tani, prandaj le ta konsiderojmë këtë ndalesë të trajnerit kuqezi si një 90 minutësh relaksi nën shoqërinë e batutave të presidentit të FSHF-së pasi futbolli i vërtetë në fushë mungoi.
Nga Pirro Bardhyli