Në kulmin e vizitës së Armand Dukës në Kosovë te vëllezërit shqiptarë të Kosovës, në Shqipëri po del në sipërqafe një problem, i disati në radhën e fërkimeve mes FFK-së dhe FSHF-së, sigurisht jo në nivel drejtuesish. Në ditën kur kreu i FSHF u takua me disa personalitete në vendin fqinjë, Alban Bushi mori një lajm që sigurisht nuk mund ta kënaqë. Dion Berisha ishte risia e re e Alban Bushit. Lojtari i Bajernit të Mynihut nuk mundi të luante në ndeshjet e muajit tetor për Shpresat kuqezi, teksa u përfol për probleme me pajisjen me pasaportë. Por një tjetër arsye ka dalë në dritë së fundmi.
Në fakt, FIFA ka bllokuar kalimin e Berishës nga Kosova U21 drejt Shqipërisë U21. Dion Berisha ka qenë në fushën e lojës me Kosovën në kualifikueset e Kampionatit Europian për moshat U21, prandaj FIFA nuk i ka dhënë dritën jeshile për të veshur fanellën kuqezi. Lidhur me këtë çështje ka folur edhe Afrim Tovërlani, trajneri i Shpresave dardane, i cili ka pohuar se edhe vetë lojtari nuk ndihet mirë që do të kthehet përsëri te Kosova. “S’e kemi shqyrtuar ende si rast. Por jam i bindur që as ai nuk ndihet mirë për tu kthyer përsëri tek ne” ka thënë Afrim Tovërlani.
sfidanti.al