Në konferencën e shtypit që dha trajneri i Maqedonisë, Igor Angelovski, në prag të ndeshjes kualifikuese të Kupës së Botës, Rusi-2018, mes Spanjës dhe Maqedonisë, në stadiumin “Los Karmenes” të Granadës, u konstatua një qëndrim mospërfillës dhe jokorrekt i gazetarëve spanjollë që flisnin me njëri-tjetrin me zë të lartë, ndërkohë që trajneri maqedonas po shprehte mendimet e veta për ndeshjen e ardhshme.
Kjo ishte arsyeja që trajneri Angelovski kërkoi një qëndrim më korrekt nga ana e gazetarëve spanjollë që ndodheshin në sallë. Më pas, reagoi edhe zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Zllatko Andonovski, që vuri në dukje se nuk është e sjellshme që një superfuqi, sikurse është Spanja në fushën e futbollit, të mbajë një qëndrim jokorrekt ndaj përfaqësueses maqedonase. Më vonë, u njoftua se Federata e Futbollit të Spanjës i kërkoi zyrtarisht falje ekipit të Maqedonisë.